KOLEC TRABOINI
BALADA E LARGESIVE
In memoriam
Emigranteve qe e kane humbur jeten ne Greqi
ne mes tyre bashkpunetori i gazetes "Egnatia"
Adrian Kondakçiu
Sonte emigrand, dua te bisedoj vetëm me ty
për baladen e largësive e të trishtimit
që të sjell mungesa e shokëve e miqëve
për gurin e rëndë të varrit dhe harrimit.
Të bisedojmë si dikur për shpresën e vrarë
që si orë fatale të priste në portë
për shtegun ku ti e more fluturimin
për të mos ardhur kurrë më në këtë botë.
Ishin vitet ’90, koha e ikjes së madhe
koha e shpresës së thyer në njëqind xhama
me dritaret e shtëpive të shqyera e vatra
pa zjarr
ikja ishte një shkëndi shprese në lugina
e male.
Në kalim kufinjsh përmes honeve të borës
ikja ishte shtegu drejt dritës në ag të
mëngjesit
përmes mjegullave kur shfaqej një qytet
më i madh se gjitha ëndrrat tona për
botën.
Vitet kur kafshata e bukës ishte një ankth
niseshim të lirë e përfundonim me pranga në duar
fanarët e ndezur në pritje të djemve në
oborr
nënat shamizeza me
zemër drithëruar.
Me ëndërrime ktheheshim tej e përtej
detit
ku Adriatiku brigjeve lante mjekrrën me shkumë
udhëtimi merrte trajtën e fjalëve të
shqipes
e nga shpirti na dilnin vargjet e dhimbjes si lumë.
Nëpër errësirën e natës drejt Athinës iknim
në sheshe e rrugë zëlutës duke thërritur
“Dhula! Dhula!” - Duan punë!
duke u treguar krahët e drobitur.
U thonim se ato krahë ishin si leva, të fortë
mund të ngrinin pallate deri në qiell
fushave e luginave të Artës e Prevezës
mund të mblidhnin agrumet si diell.
Por erdhi dita fatale, nje orë dhe një çast
gjithçka u përmbys si termet në të
zbardhur
gjithçka që kishe në jetën tënde të
shkurtër
iku, kurrë më për të mos ardhur.
|
Emigrand në Greqi,i lindur me 28 korrik 1970 në Verri të Fierit,
bashkëpuntor i gazetës "Egnatia" Athinë në vitet 1994-1995, autor i
shumë poezive me teme emigracionin. Poezite e para i botoi në albumin
poetik me krijimet e emigranteve "Balada e largesive" 1995. Ndrroi jetë
tragjikisht në një aksident në punë. Poezitë qe la në dorëshkrim u
botuan post mortem në vëllimin me titull "Endërr e ndërprerë". |
Qindra emigranteve, të humbur, të
vrarë, të keqtrajtuar ne Greqi nga viti 1991 e deri ne ditet tona. Foto nga Nikos Ekonomopoulo 1997